FJALË TË URTA
1. Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtra.
2. Më e bukura fjalë është e thjeshtë dhe e shkurtër, është fjalë që kuptohet me lehtësi dhe që
ka kuptim të thellë e të hollë.
3. Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.
4. Detyra jonë kryesore ndaj njerëzisë është të studiojmë dhe të mësojmë (të tjerët) pa u
mërzitur.
5. I madh është ai njeri që i shikon të gjithë njësoj, që vepron pa anuar dhe që mendon për të
gjithë. Ai që mendon për interesat e veta, është njeri i ulët.
6. Detyrat njerëzore janë një barrë e rëndë; sjellja e keqe sipas ëndjes dhe pëlqimit të botës
është një moçal i madh. Për të nxjerrë në breg një barrë të tillë të rëndë nga një moçal i
tillë, duhet të ecësh drejt, pa shikuar djathtas e majtas.
7. Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato!
8. Mos e duaj gjumin shumë; hap sytë që të mos mbetesh i uritur!
9. Toka mund t’i ushqejë njerëzit fare mirë; vetëm pse shumica e pasurisë shpenzohet pa
vend, e shumica e njerëzve mbeten të uritur.
10. Për t’ia nënshtruar botën mirësisë, duhet luftuar kundër ligësive.
11. Fitimi i pozitës varet nga të tjerët. A nuk është marrëzi të lësh atë që ke në duart tua dhe
t’u drejtohesh të tjerëve?
12. Më parë se për pasurinë, mjeshtërinë dhe tregtinë e një bashkësie (njerëzore), duhet
menduar për edukimin e saj, sepse edukata e mirë është baza e bashkësive njerëzore.
13. Njeriu merret me dituri dhe me shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato,
në rini i vë në zbatim e në pleqëri ua mëson të tjerëve.
3
14. Zemra e njeriut të përsosur është gjithmonë e pezmatuar, por fytyra e tij është kurdoherë e
gëzuar.
15. Njeriu dëshiron madhështinë dhe famën, trembet nga mospërfillja; megjithëkëtë nuk
largohet nga sjelljet e këqija. Kjo është sikur të kesh frikë nga lagështira e të banosh në
moçal.
16. Po të jenë nëpunësit në dorë të personave të pazotë, po t’u mungojnë armët ushtarëve, po
të mbetet pas bujqësia, mjeshtëria dhe tregtia, prapëseprapë shteti qëndron; por kur
sundimtarët nuk respektojnë ligjin dhe të drejtën, nëpunësit e vegjël bëhen të pabindur
dhe nuk e zbatojnë urdhrin e dhënë, kështu që populli i lë pas dorë vetitë e mira dhe jepet
pas veseve të këqija, atëherë nuk ka më shpresë shpëtimi.
17. Mos i poshtëroni njerëzit e mëdhenj për një a dy faje të tyre, sepse diamanti sado i prerë
shtrembër të jetë, është më i vlefshëm se një gur i zakonshëm, i prerë në formën më të
përsosur.
18. Mashtrimet e mashtruesit përballojini me drejtësi, sepse gjithçka mënjanohet me të
kundërtën!
19. Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen (nga njëri-tjetri).
20. Fjala e atij që qeshet shumë, s’e bën të qeshet asnjërin.
21. Duhet të shfrytëzohet mirë koha, sepse jeta nga koha përbëhet.
22. S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë i prek të mirët se të këqijtë.
23. Njollat që i ngjiten trupit tonë lahen me ujë; njollat e shpirtit s’ka gjë që i pastron.
24. Virtyti i bën të dashur (me njëri-tjetrin) njerëzit e mëdhenj, njerëzit e zakonshëm - dëfrimi
dhe zbavitja, të këqijtë – vagabondazhi dhe delikti.
25. Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz të pa mend.
26. Mos shkruaj gjë kur je i nervozuar, sepse, kur plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës,
mendo çfarë mund të jetë ajo e pendës!?
27. Kot përpiqet mendja, kur nuk mund të arrijë gradën e lartë të ndjenjave.
28. Fjala më elokuente është ajo, përfundimi i së cilës kuptohet që në frazën e parë, e qëllimi
nëpër brendinë e saj kur duket në formë solide.
29. Tri raste kanë tri virtyte shumë të pëlqyeshme: t’i ndihmosh nevojtarët kur janë në gjendje
të vështirë; ta thuash të vërtetën edhe kur je i zemëruar, të falësh kur je i zoti të ndëshkosh
ose të hakmerresh.
30. Për ndryshimin e një gjëje askush nuk është më i aftë se koha.
31. T’i japësh një pozitë dhe të nderosh një njeri pa merita, është sikur të hedhësh në
ndyrësira një qese me inxhi (margaritarë).
32. Po të bjerë në det një pikë ujë, nuk thahet.
33. Sikundër që elefantin e vrasin për dhëmbët e tij të çmueshëm, disa guaska deti i gjuajnë
për margaritarët që kanë brenda e që bilbilin e robërojnë për zërin e tij të bukur, kështu
edhe njeriun – të shumtën e herës – e rrezikon vlera e tij e lartë.
34. Mos iu mbështet së nesërmes, se nuk mund të dish se ç’do të lindë nata!
35. Pa bashkim s’mund të ketë as opinion publik, as forcë.
4
36. Liria s’mund të shkojë përpara, pa pasur udhëheqëse arsyen dhe pa qenë e shoqëruar nga
vetitë e mira.
37. Gjuha e memecit është më e mirë se e gënjeshtarit.
38. Gjuha është dëshmitari i rrejshëm i zemrës.
39. Sikundër trupi që ka nevojë për pastërti, ashtu edhe shpirti ka nevojë për arsim.
40. Pendimi është pranvera e mirësjelljes.
41. Ming Çui thotë: “Filozofët, dijetarët, njerëzit e mëdhenj, të cilët me mendimet dhe punët
e tyre kanë bërë të çuditet bota, a nuk ishin edhe ata njerëz si ne? Pse t’i shikoj ata me
habi dhe mahnitje? A s’mund të bëhem edhe unë si ata me përpjekjet e mia?”
42. Hidhërimi dhe gëzimi s’kanë kufi. Njeriut, pse ka zënë një pozitë të vogël, i bie pika nga
gëzimi, pastaj ai vdes nga hidhërimi pse nuk zë një pozitë më të lartë.
43. Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e vet, nuk e
do më atë.
44. Ai që e pëlqen veten e vet,nuk pëlqehet nga askush.
45. Dallkauku (lajkatari) është fajdexhiu më i keq. Posa sheh se ai që ka përballë është
mashtruar prej tij, edhe sikur t’ia marrë kamatën 500 % të hipokrizisë që ia ka akredituar,
prapëseprapë s’kënaqet, përpiqet t’ia heqë edhe lëkurën të mjerit.
46. Pasuria zë vendin e lejekalimit të marrëzisë.
47. Pasuria e vogël, që përdoret me nikoqirllëk, zë vend më mirë se thesaret e
keqadministruar.
48. Pasuria është shërbëtor i të mençurit, e zotëri i budallait.
49. Lumturia në këtë botë i ngjan dritës së shkreptimës, ndriçimi i një sekonde sjell pas
furtunë disaorëshe.
50. Gjërat që kanë shkaktuar fanatizmin janë përrallat e shpikura nga keqdashja, të pranuara
nga frika dhe të ruajtura nga marrëzia.
51. Helmi më i rrezikshëm është hipokrizia.
52. Filozofi kinez Ming Çu thotë: “T’i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh
ata, është sikur t'i thërrasësh në gosti dhe t’ua mbyllësh portën për të mos i pranuar”.
53. Njëri nga filozofët e famshëm të Tibetit, Paskia Pandita, thotë: “S’mund t’i japësh flakë
një pylli të madh, po nuk të ndihmoi era”. D.m.th. mos fillo punë të mëdha po nuk qe
koha dhe rasti dhe po nuk patë shpinë të fortë!
54. Mos u prish me vëllanë për punë të shokut, sepse shoqëria zhduket, vëllazëria mbetet!
55. Si flaka e shkrepsës me kokë poshtë që është më e fortë, ashtu edhe virtytet e dijetarit të
rënë në fatkeqësi duken më qartë.
56. Ata që tregohen të drejtë me qëllim lartësimi, pasi të arrijnë qëllimin, s’ndjejnë më nevojë
për drejtësi.
57. Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.
58. Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë së keqes që të është bërë.
59. Kur lodhet trupi, qetësohet mendja.
5
60. Duke gërmuar tokën, del ujë.
61. Tregtia që të jep më shumë fitim është puna.
62. Dituria është e gjatë, jeta e shkurtër.
63. Dita është e shkurtër, puna e gjatë.
64. Nëna e frikacakut as nuk qan, as nuk qesh.
65. Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.
66. Çdo ditë e jetës sate është një faqe e jetëshkrimit tënd. Kujdesu ta shkruash mirë, sepse
një faqe e keqe e ndynë gjithë librin.
67. Të qeshësh kundrejt një personi të dëshpëruar, është si t’ia heqësh dikujt petkat në kohë të
ftohtë dhe ta lësh lakuriq.
68. Do që të mos dëgjohet fjala që do të thuash? Mos e thuaj! Do që të mos shihet puna që do
të bësh? Mos e bëj!
69. Dijetari i përdhosur është një gjarpër me kokë të stolisur me diamantë.
70. Po nuk foli i marri, nuk dallohet dot nga i urti.
71. Ndonjëherë, heshtja është më elokuente se çdo fjalë.
72. Një gjë e vogël e fituar me të drejtë, është më e mirë se gjëja e shumtë e fituar me të
padrejtë.
73. Fundi i të qeshurit është mërzitja; fryti i të qarit është ngushëllimi.
74. Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.
75. I vobekti energjik i ngjan fitilit pa vaj.
76. Përgatite dyshekun para se të biesh të flesh!
77. Peri i ngatërruar nuk zgjidhet me nguti.
78. Kush e ka barrën të rëndë, e ka hapin të shkurtër.
79. Sa më shumë rëndohet barra, aq më tepër i del kurrizi atij që është përposhtë.
80. Filozofi kinez Shu King thotë: “Kush është në punë të shtetit, le të përpiqet të bëjë vepra
që do të mbesin për shumë kohë pas vdekjes së tij!”
81. Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.
82. Lumturia nuk zgjat për shumë kohë; i pafati është një foshnje në bark të s’ëmës që ende
s’ka arritur në botën e lumturisë; ndërsa ai që është i lumtur,është një plak duke dhënë
shpirt.
83. Qeveria (e mirë) lind nga rregulli dhe kujdesi.
84. Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e vet.
85. Ato çka di njeriu, në krahasim me ato që nuk i di, është kurrgjë.
86. Askush s’mund të njihet për dijetar, pos atij që e mposht epshin e vet.
87. Dijetar (filozof) është ai që i përshtatet puna fjalës së tij, e fjala opinionit të tij.
88. Pasaniku koprrac i ngjan miut që rri në një tas të artë.
6
89. Skamja dhe përvuajtja kërkon nikoqirllëk, përvuajtja dhe nikoqirllëku mirësjelljen,
mirëpo pasuria sjell kryelartësinë e dorëlirësinë, e kryelartësia dhe dorëlirësia sjellin
shthurjen dhe keqsjelljen.
90. Njeriu që s’mund ta mbrojë mendimin e vet i ngjan një qyteti të pambrojtur.
91. Dijetari nuk thotë çka di (kur nuk është rasti për t’i thënë), i marri nuk di çka thotë.
92. Është faj ta meritosh qortimin, mosdurimi (me rastin) e qortimit është faj edhe më i madh.
93. Zgjuarsia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës shndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve,
por edhe brendinë e tyre.
94. Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti ta përmbajë vetveten.
95. Lumturia (te njerëzit e ulët) shkakton kryelartësinë dhe mospërfilljen (ndaj të tjerëve).
96. Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.
97. Meqenëse gratë e plotësojnë zbrazëtinë e kuvendimit dhe të mbledhjeve, i ngjajnë kashtës
që vihet ndërmjet filxhanëve e pjatave. Sado që kjo kashtë duket e panevojshme, filxhanët
dhe pjatat e ndodhura në një arkë pa ta, do të thyheshin dhe nuk do të tepronte asnjë.
98. Mali lind vullkanin, vullkani çan malin, druri ushqen krimbin, krimbi than drurin; njeriu
krijon ide, idetë e fusin njeriun në njëmijë fatkeqësira e më në fund e dërgojnë në shtratin
e veremit.
99. Përderisa ata që vdesin nga helmi janë fare të paktë, çdo njeri trembet nga helmi, ndërsa
shthurrja grin çdo ditë mijëra njerëz, gjithkush jepet pas saj.
100. Gjithkush mendon për veten e tij, vetëm shpirtmiri mendon për të tjerët.
101. Kombi është themeli i godinës së shtetit, sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë
qëndron godina.
102. Ta fillosh një punë dhe të mos e vazhdosh deri në fund, është si të fillosh të mihësh një
pus dhe pas 2-3 pashësh ta lësh punën. Sikur të mihë njeriu në 100 vende nga 2-3
pashë, nuk nxjerr dot një pikë ujë, por po të mihë në një vend 5-10 pashë, me siguri del
ujë.
103. Po të fillosh një punë dhe të mos i dalësh në krye, mos u dëshpëro! Po nuk ia dole me të
parën, ia del me të dytën, dhe fundja me të tretën.
104. Mos u tremb nga shuplaka e mikut, duhet të kesh frikë nga lëvdata e armikut.
105. Në çdo mendim mund të ketë shkarje e në çdo veprim gabim; mendimet korrigjohen me
kohë, veprimet me përvojë.
106. Shumë rrallë i takon fatkeqësia atij që, kur del në mëngjes nga shtëpia, i shkon mendja
se në mbrëmje mund të kthehet me qivur (arkivol).
107. Gjithë ç’është në botë, me shpirt dhe pa shpirt, është armik i njeriut; njeriu i urtë
qëndron gjithmonë me kujdes dhe nuk ka besim në asnjeri, në asgjë.
108. Ç’mund të bëjë një kalë i fortë me një karrocë të shkatërruar?
109. Më kryesoret janë katër gjëra që e bëjnë njeriun njeri: dituria, durimi, kanaati (mjaftimi
me atë që ka) dhe drejtësia.
7
110. Uji në vetvete është i pastër, duke u trazuar me disa materie dhe sende të tjera, bëhet i
hidhur dhe i ndyrë; njeriu është krijuar i mirë,bëhet i keq nga ndikimi i epsheve dhe i
veseve të këqija.
111. Njeriu dëshiron të jetojë shumë, por nuk dëshiron të plaket.
112. Sikur çdo njeri t’i konsiderojë të gjithë njerëzit për shokë, gjënë e tjetrit si gur dhe tokë
(d.m.th. të pavlefshme), gratë – përveç të tijën – si nëna dhe motra, atëherë është e
mundshme të ketë lumturi dhe prehje në këtë botë.
113. Po deshe ta kesh të lirë zemrën tënde, mos i plotëso dëshirat (e këqija)!
114. Punën e nesërme mbaroje sot dhe pushimin që do të bësh pasnesër bëje sot!
115. Mos jep shkas të flasë kush keq për ty; por mos u mundo t’ua mbyllësh gojën
keqdashësve, sepse qeni, ashtu sikundër i leh natën kusarit që i kalon pranë, ashtu i leh
edhe njeriut të ndershëm.
116. Po të flitet keq për ndokënd, gjithsecili beson në çast: po të flitet mirë për të-asnjeri nuk
beson. Përçarja është bërë aq e pëlqyer në botë, saqë lëvdatës nuk i ka mbetur fare
vlerë.
117. Smiraku e grindaveci edhe sikur ta zotërojnë tërë botën, prapë s’mund të kënaqen,sepse
për t’u bërë ata të lumtur, duhet të shkatërrohet gjithë bota.
118. Martesa është një urë midis shthurjes dhe lumturisë.
119. Ekzistenca dhe lumturia e shoqërisë njerëzore varet nga gruaja. Midani thotë: “Aty ku
mungon gruaja, asaj duhet bërë një shtatore prej druri”.
120. Nga një birucë e vogël, mund të hyjë një e keqe e madhe.
( Marrë nga revista letrare JETA E RE, nr. 3, 1978, Prishtinë)